Ish-ministri i Administratës Publike dhe i Arsimit, Arsim Bajrami, ka njoftuar se ka tërhequr gatishmërinë e tij për t’u vënë në dispozicion si kandidat konsensual për President të Republikës së Kosovës. Në një reagim publik, Bajrami tha se vendimi i tij vjen pasi dy partitë kryesore parlamentare, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës, nuk e përkrahën konceptin e një kandidati konsensual.

“Duke qenë se dy partitë kryesore parlamentare, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës, nuk e përkrahën konceptin e një kandidati konsensual për President të Republikës së Kosovës, kam vendosur të tërheq gatishmërinë time për t’u vënë në dispozicion si kandidat konsensual”, ka deklaruar Bajrami.

Ai theksoi se vetëofrimi i tij kishte për qëllim ekskluzivisht kontributin në tejkalimin e krizës së thellë politike dhe institucionale, në të cilën, sipas tij, vendi po hyn në vitin e dytë. Sipas Bajramit, përvoja e tij mbi tri dekada në proceset shtet-ndërtuese do të vihej në funksion të unitetit politik dhe qytetar, si dhe të garantimit të funksionimit kushtetues të institucioneve të Kosovës.

Bajrami nënvizoi se angazhimi i tij nuk kishte motive personale apo karriere, por ishte shprehje e përgjegjësisë qytetare dhe gatishmërisë për t’i shërbyer vendit në një moment të ndjeshëm për demokracinë dhe stabilitetin institucional. Ai i uroi sukses cilitdo president apo presidente që do të zgjidhet, duke shprehur gatishmërinë që, në kapacitetin e tij akademik dhe profesional, të kontribuojë në proceset shtetformuese dhe në forcimin e institucioneve demokratike./ Top Channel