Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u kthye këtë të premte nga Haga për të vizituar varrin e babait të tij, Haxhi Thaçi, i cili u nda nga jeta disa ditë më parë. Leja për këtë vizitë u dha nga autoritetet në Hagë, pas kërkesës së Thaçit.
I shoqëruar nga forcat e sigurisë së EULEX-it, Thaçi vendosi lule mbi varrin e të atit dhe la një mesazh prekës mbi kurorën:
“Te varri yt erdha i fundit, babë! Para meje erdhën mijëra qytetarë! Së shpejti, dorë më dorë, do t’i falënderoj të gjithë.
Të qoftë i lehtë dheu i Kosovës!”
Thaçi nuk pati mundësinë të merrte pjesë në varrimin e babait të tij, por më herët, më 13 mars 2025, i ishte dhënë leja për ta vizituar atë në spitalin e Prishtinës. Vizita e tij në Kosovë u zhvillua nën masa të rrepta sigurie dhe u konsiderua si një moment emocional për ish-presidentin, familjen dhe mbështetësit e tij.

