Kongresmeni amerikan Keith Self ka reaguar në prag të një vendimi të rëndësishëm në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit dhe tre ish-drejtuesve të tjerë të UÇK-së në Hagë, duke ngritur shqetësime për ndikimin që politika mund të ketë në vendimmarrjen gjyqësore.
Përmes një reagimi të publikuar në platformën X, ligjvënësi amerikan bëri thirrje që çështja të trajtohet pa paragjykime politike, ndërsa e lidhi rëndësinë e procesit edhe me situatën e brishtë në Ballkan.
Self pretendon se në çështje të ndryshme të trajtuara në Hagë është vënë re një tendencë që konsideratat politike të ndikojnë në vendime. Ai shprehu shpresën që një gjë e tillë të mos ndodhë edhe në procesin ndaj ish-presidentit të Kosovës dhe tre të akuzuarve të tjerë.
Kongresmeni amerikan iu referua Thaçit dhe bashkëluftëtarëve të tij si shqiptarë që luftuan për pavarësinë pas viteve të shtypjes nga Serbia.
Në reagimin e tij, Self paralajmëroi gjithashtu për pasojat që tensionet e reja mund të kenë në rajon, duke e cilësuar Ballkanin si një “fuçi baruti”.
Sipas tij, ekzistojnë regjime shtypëse që mund të përfitojnë nga përçarjet dhe tensionet në rajon, në vend që të kontribuojnë në procesin e pajtimit.
Deklarata e kongresmenit amerikan vjen ndërsa vëmendja është përqendruar te zhvillimet në Hagë dhe procesi ndaj Hashim Thaçit dhe tre ish-krerëve të tjerë të UÇK-së.
