Bedri Hamza u zgjodh kryetar i ri i Partisë Demokratike të Kosovës.

Hamza u zgjodh pa asnjë votë kundër, në një konventë ku ai ishte kandidati i vetëm pas dorëheqjes së Memli Krasniqit. Zgjedhja e tij u shoqërua me kundërshtime nga figura brenda partisë, përfshirë Enver Hoxhajn, i cili kërkoi shtyrjen e Konventës dhe më shumë hapësirë për garë të brendshme. Megjithatë, PDK-ja vendosi të vazhdojë procesin, duke e mbajtur Hamzën si kandidatin e vetëm, pasi ai plotësoi kërkesat statutore.

Hamza, i cili ka përvojë si ministër i Financave dhe kryetar komune, synon ta rikthejë PDK-në si forcën kryesore në vend, veçanërisht përballë Albin Kurtit. Kosova pritet të shkojë së shpejti në zgjedhje parlamentare, dhe Hamza shihet si njeriu që duhet të rigjallërojë strukturat e PDK-së për të rritur ndikimin e saj politik.

“Kosova meriton qeverisje të mirë, institucione të qëndrueshme, drejtësi të pavarur dhe investime në siguri. Këto janë detyrime për ne. Dhe sot, përveç një kandidature, ju votoni për një vizion qeverisës. Sot votoni më shumë sesa për një kryetar, votoni për një qeveri të punës. Sot votoni për një ekonomi që zhvillon prodhimin vendor, rrit pagat, pensionet dhe krijon partneritet të plotë me bizneset….Po lind kapitulli i ri i PDK-së, i bashkimit, i hapjes dhe i unitetit të brendshëm. PDK është gati, Kosova është gati dhe kemi besimin e njerëzve”, deklaroi ai.