Një tjetër dëshmitar i rëndësishëm në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Wesley Clark, ish Komandanti i NATO, do ulet perballë trupës gjykuese nga radhët e mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi.
Ish-gjenerali amerikan ishte njeriu që udhëhoqi fushatën 78 ditorëshe të bombardimeve kundër çarqeve të ushtrisë dhe policisë serbe dhe konsiderohet një nga dëshmitarët më të rëndësishëm që mbrojtja e Thaçit çon në Hagë. Dëshmia e tij pritet të sfidojë narrativen e Prokurorisë për “Ndërmarrje të Përbashkët Kriminale”.
Mbrojtja arsyeton se nëse UÇK-ja do të jetë një organizatë kriminale, siç pretendon pala akuzuese, atëherë vetë NATO, e cila bashkërendonte veprimet me të, do të duhej të akuzohej për të njëjtin “krim”. Tentativa e avokatëve të Thaçit është rrezimi i akuzës për krime lufte, duke i paraqitur trupës një nga partnerët më të rëndësishëm të luftës për çlirim.
Ish-ushtaraku amerikan është dëshmitari i pestë me radhë i mbrojtjes në gjyqin ndaj ish-krerëve të UÇK-së. I pari që dëshmoi ishte ish-ndihmëssekretari Amerikan i Shtetit gjatë kohës së luftës në Kosovë, James Rubin. Pas tij, dëshmoi Paul Williams, këshilltar i delegacionit të Kosovës në Rambuje. I treti ishte John Duncan, ish-këshilltar i Clark-ut dhe i katërti ishte Jock Covey, zëvendëskryeadministrator i Kosovës nga viti 1999 deri më 2001.
Dëshmitarët e mbrojtjes do të dëgjohen deri në mes të nëntorit, ndërsa palët kanë afat deri në muajin dhjetor për të dorëzuar me shkrim fjalët përfundimtare. Ish-krerët e UÇK ndodhen ne Hagë të akuzuar për krime lufte dhe pengim të drejtësisë që nga 2020-ta, në një proces të shoqëruar me shumë polemika.




