Në praninë e djalit 12-vjeçar, Arlinda Zekajt që u vra nga kunati, iu dha lamtumira e fundit të martën në Radac të Pejës.

Edhe në ceremoninë e mortit u kërkua drejtësi për 49-vjeçaren që shteti nuk arriti ta mbronte.

Ndërkohë, rasti i saj, po vazhdon të hetohet edhe për neglizhencë nga autoritetet. Të martën,  në Gjykatën Themelore në Pejë, ish-bashkëshorti i saj, Jeton Sylaj u paraqit për masën e sigurisë. Para trupit gjykues ai doli nën shoqërimin e forcave të shtuara të policisë.

Prokuroria Themelore kishte kërkuar një muaj paraburgim për mospërfillje të gjykatës, pasi prentendohet se Sylaj “ka ushtruar sërish dhunë psikologjike ndaj bashkëshortes së tij, tani të ndjerës A.Z., duke iu drejtuar me fjalë kërcënuese”.

Gjykata Themelore në Pejë, Jeton Sylajt i caktoi masën e paraburgimit prej një muaji për shkeljen e vendimit të 16 tetorit, ku i ndalohet t’i afrohej viktimës me shumë se dy metra.

I dyshuari për vrasjen e Arlinda Zekajt, Albert Sylaj, vazhdon të jetë në arrati. Të martën, Policia e Kosovës njoftoi se ka bastisur shtëpinë e tij ku gjetën armë, thika e sëpatë.

Arlinda Zekaj u vra nga kunati i saj vetëm dhjetë minuta pasi u shoqërua nga policia në shtëpinë e saj, pas denoncimit për dhunë në familje nga ish-bashkëshorti.

Tre ditë para se të vritej, ajo kishte kërkuar mbrojtje nga shteti e kishte ngritur alarmin për neglizhencë nga zyrtarët në trajtim të rastit të saj. Letrat që i dorëzoi të kryeprokurorja e Pejës, kryetari i gjykatës së Pejës dhe kryeprokurori i shtetit, siç thoshte edhe vetë Arlinda Zekaj ishin “shpresa e saj e fundit”.