Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Mehmeti-Selimi, ka reaguar pas dënimit të Salih Mustafës me 26 vjet burgim nga Gjykata Speciale.
Në një postim në Facebook, Selimi është shprehur se Luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kurrë nuk do të gjunjëzohen para një gjykate të fabrikuar në Serbi.
Mehmeti-Selimi është gruaja e ish-luftëtarit të Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës dhe ish-deputetit të LVV-së Rexhep Selimi, i cili gjithashtu gjendet në paraburgim në Hagë. Aktakuza ndaj Rexhep Selimit është konfirmuar më 26 tetor 2020. Sipas akuzës, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.