Kujdes me rrugët që zgjidhni për tu kthyer në Kosovë. Ky është mesazhi i ministrisë së punëve të jashtme dhe Diasporës për udhëtarët, kryesisht emigrantët që po kthehen në vend për festat e fundvitit.

Njoftimi erdhi pasi me 24 dhjetor, këtë të mërkurë do të ketë bllokim të përkohshëm të një rruge, nëpër të cilën kalohet për në Kosovë.

Bëhet fjalë për segmenti rrugor në fshatin Kastrat të Kurshumlisë që do të jetë e bllokuar për qarkullim nga ora 11:50 deri në 15:50, “për shkak të aktiviteteve të paralajmëruara nga banorët lokalë”.

Po ashtu, në këtë segment rrugor do të ketë bllokim të qarkullimit edhe më 27 dhjetor nga ora 11:52 deri më 18:52 si dhe më 3 janar 2026, nga ora 09:00 deri në mesnatë.

“Qytetarët e Republikës së Kosovës, të cilët kanë planifikuar udhëtime drejt vendlindjes apo transit nëpër këtë segment rrugor, këshillohen që të planifikojnë me kohë lëvizjet e tyre dhe, me qëllim të shmangies së pritjeve, vonesave apo pengesave eventuale në qarkullim, të shfrytëzojnë rrugë alternative”, u tha në njoftim.

Qytetarët e Kosovës që jetojnë jashtë vendit rëndom qëndrojnë në Kosovë gjatë festave të fundvitit dhe përdorin edhe rrugët nëpër Serbi.

Kosova dhe Serbia kanë disa pika kufitare, sikurse Brnjaku, Dheu i Bardhë, Jarinja, dhe Dheu i Bardhë.

Sipas të dhënave të fundit të Qendrës Kombëtare për Menaxhimin Kufitar, pritja në këto pika për hyrje në Kosovë është disa minutëshe, dhe në Jarinjë pritja është më e gjatë.