Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me vdekjen e dajës së dy këngëtarëve të njohur, Mozzik dhe Getinjo.

Mësohet se daja i tyre ka humbur jetën në paraburgimin e Gjilanit, në rrethana ende të paqarta, siç raportohet nga mediat kosovare. Lajmi për ndarjen e tij nga jeta e ka dhënë vetë Mozzik, me anë të një shkrimi  prekës në Instagram.

“O dajë krejt mi ke mësu, veç qysh me ia bë pa ty harrove me më msu. Shpirtin na kalle o daja ma i mirë”, ka shkruar ndër të tjera Mozziku.

 Nga ana tjetër, Getinjo nuk është në dijeni për një gjë të tillë, sepse siç dihet ai tashmë është banor i shtëpisë së Big Brother VIP Kosova.

Vdekja është njoftuar dhe nga autoritetet, të cilat shtojnë se autopsia do qartësojë shkakun e vërtetë të vdekjes.

“Me të kuptuar për rastin, i menjëhershëm ka qenë intervenimi i stafit korrektues, atij mjekësor të qendrës dhe emergjencës së qytetit, por përkundër përpjekjeve për reanimim nuk kanë arritur ta kthejnë në jetë. Lidhur me rastin janë njoftuar Policia e Kosovës dhe prokurori, ndërsa SHKK ka filluar të bëjë hetimet procedurale dhe administrative. Autopsia do të verifikoj shkakun e vdekjes”, thuhet në njoftimin e Shërbimit Korrektues të Kosovës.