Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk ka dashur t’i komentoj deklaratat e homologut të tij shqiptar, Edi Rama në Asamblenë e Këshillit të Europës, mbi raportin e Dick Marty-t.

I pyetur nga mediat vendase për një koment, Kurti ka deklaruar se nuk e ka dëgjuar deklaratën e Ramës, për shkak të axhendës së ngarkuar dhe prandaj nuk mund të thotë asgjë.

“Nuk di a kam kontribuar në fjalimin e Edi Ramës, sepse nuk e kam dëgjuar. Kam qenë në Pejë sot dhe tërë ditën nëpër takime të ndryshme e në mbrëmje vonë përpiqem që të updatohem”, tha ai.

Kryeministri Rama iu drejtua me një deklaratë ditën e sotme liderëve europianë në Asamblenë e KE-së, duke kërkuar rishikimin e raportit të Dick Marty-t, i cili akuzon krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për krime lufte gjatë luftës me Serbinë, në vitin 1999.