Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë reaguar pas deklaratave të presidentit serb Aleksandar Vuçiç për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër.
Në një përgjigje për Radio Evropa e Lirë, Departamenti Amerikan i Shtetit theksoi se paqja dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor mbeten ndër prioritetet e Uashingtonit.
“Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është pjesë e domosdoshme e këtij procesi”, deklaroi një zëdhënës i Departamentit të Shtetit.
Deklaratat e Vuçiç u bënë më 9 gusht, kur presidenti serb tha se autoritetet në Beograd po shqyrtonin, në bashkëpunim me ekspertë, mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së Ibrit.
Vuçiç e lidhi këtë ide me situatën e shtëpive dhe vilave të serbëve pranë Liqenit të Ujmanit, në veri të Kosovës, duke shkaktuar reagime të forta nga zyrtarët kosovarë.
Çështja u shoqërua më pas edhe me një përplasje publike mes përfaqësuesve të Shqipërisë dhe Serbisë.
Në reagimin e saj, edhe Bashkimi Evropian ka rikujtuar rëndësinë e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Komisioni Evropian ka theksuar se përparimi në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mbetet një parakusht për avancimin e Serbisë dhe Kosovës në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
