Ministrja serbe, Snezana Paunoviç duket se vijon t’i qëndrojë besnike deklaratës skandaloze që ajo ka bërë më herët, teksa shprehej se nëse do ishte në vendin e Sllobodan Millosheviç, do e kishte spastruar etnikisht Kosovën.
Në një tjetër dalje televizive, ministrja është përpjekur ta maskojë deklaratën duke thënë se spastrimi do kryhej jo duke i vrarë shqiptarët, por duke i dëbuar ata nga territori i Kosovës. Sipas saj, largimi i shqiptarëve do bëhej me “vullnet të lirë”, pra do largoheshin vetëm ata që nuk e ndjenin veten pjesë të Jugosllavisë.
“Jo me likuidimin e askujt, por thjesht me vullnet të lirë. Shpjegimi i asaj deklarate sime ishte se Millosheviç duhej të bënte këtë: kushdo që nuk e respektonte Kushtetutën dhe ligjet e atëhershme të Republikës Federale të Jugosllavisë, të kthehej në vendin e tij amë, të cilin e konsideronte më të mirë, ndërsa me terroristët, si kudo në botë, të merreshin forcat zyrtare të armatosura.”– ka thënë ajo.
