Lëvizja e Qytetarëve të Lirë (PSG), parti opozitare në Serbi, kërkoi sot shkarkimin e menjëhershëm të Ministres së Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviç, për shkak të gjuhës së urrejtjes të shprehur nga ajo, teksa tha se do ta spastronte etnikisht Kosovën nga shqiptarët në vitin 1998.
PSG thekson se një person që justifikon dëbimin e njerëzve vetëm për shkak të kombësisë së tyre nuk mund të jetë anëtar i Qeverisë së Serbisë dhe se është veçanërisht e rrezikshme që mesazhe të tilla vijnë nga Ministrja e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, që do të duhej të garantonte barazinë e të gjithë qytetarëve para institucioneve shtetërore dhe respektimin e Kushtetutës dhe ligjit.
“Deklarata e ministres hap gjithashtu një çështje serioze të përgjegjësisë së mundshme penale në përputhje me nenin 317 të Kodit Penal, i cili ndalon nxitjen e urrejtjes dhe intolerancës kombëtare, racore dhe fetare”, vlerëson PSG, e cila pret që prokuroria publike kompetente të hetojë nëse ka elementë të asaj vepre penale në pikëpamjet e saj të shprehura publikisht.
Snezhana Paunoviç ka qenë anëtare e Partisë Socialiste të Serbisë që nga viti 1992 dhe nënkryetare që nga viti 2024, sipas biografisë së saj zyrtare. Ajo u zgjodh në pozicionin e deputetes për herë të parë në vitin 2013 dhe në dy mandate mbajti pozicionin e Zëvendëskryetares së Kuvendit.
