Ministrja e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale në Qeverinë e Serbisë, Snezhana Paunoviç, ka shkaktuar reagime të forta pas një deklarate të bërë gjatë një interviste për një media serbe.

Paunoviç, pjesë e qeverisë së presidentit Aleksandër Vuçiç, deklaroi se nëse do të kishte pasur të njëjtën liri veprimi si ish-presidenti serb Slobodan Millosheviç, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën” gjatë luftës së viteve 1998–1999.

“Për të metat dhe budallallëkun tonë, nëse do të kisha qenë e lirë si Millosheviqi, do ta kisha pastruar etnikisht Kosovën në vitin 1998”, u shpreh ministrja serbe.

Deklarata ka nxitur reagime të forta, pasi lidhet me periudhën e luftës në Kosovë, gjatë së cilës forcat serbe u akuzuan dhe u dënuan ndërkombëtarisht për krime lufte, përfshirë vrasje, dëbime dhe spastrime etnike ndaj popullsisë civile shqiptare.

Gjatë konfliktit të viteve 1998–1999, qindra mijëra shqiptarë të Kosovës u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre, ndërsa mijëra civilë u vranë ose u zhdukën.