Qeveria pritet që të kalojë të mërkurën draftin në Kuvend me procedurë të përshpejtuar
Pas porosisë të dhënë nga SHBA-ja për të ratifikuar marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi, qeveria e Kosovës ka vendosur që të hidhet në veprim, për ta zbatuar atë. Të dielën, Prishtinën e vizitoi ndihmëssekretarja amerikane e Shtetit për Çështjet e Europës dhe Euroazisë, Victoria Nuland, e cila e bëri të qartë që duhet të votohet marrëveshja për kufirin me Malin e Zi, pasi ka një rëndësi të madhe për integrimin e vendit. Ekzekutivi duket i vendosur që draftin aktual ta dërgojë për ratifikim në Kuvend, edhe pse opozita ka bërë thirrje që të përpilohet një i ri, pasi ai aktuali ka shkelje të territorit. Kryeministri Isa Mustafa do të mbledhë qeverinë të mërkurën në orën 10:00 dhe do të miratojë e procedojë në Kuvend marrëveshjen. Sipas mediave kosovare, procedimi i demarkacionit do të bëhet në një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit dhe nuk do të priten procedurat e rregullta të parashikuara në Rregulloren e Kuvendit, pasi nuk ka kohë. Me ratifikimin e marrëveshjes, do t’u hapet rruga institucioneve europiane që të liberalizojnë vizat në shtator. Opozita ka paralajmëruar se nuk do të lejojë që në Kuvend të kalojë kjo çështje, madje kanë thënë se do të përdorin të njëjtat metoda siç kanë bërë në të kaluarën, në mënyrë që të pengojnë kalimin e kësaj marrëveshjeje. Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, u bëri thirrje deputetëve të koalicionit në qeveri që të votojnë kundër përcaktimit të vijës së re kufitare me Malin e Zi. Deputetë të opozitës shkuan edhe më larg, e thanë se përcaktimi i vijës kufitare në këtë format mund të çojë deri në konflikt të armatosur me Malin e Zi. Ndërsa në seancën e djeshme, për shkak të mungesës së votave, Parlamenti nuk e miratoi Raportin e Radiotelevizionit të Kosovës për vitin 2015. Deputetët e pranishëm në sallë nuk votuan as pro dhe as kundër këtij raporti, duke bërë kështu që të mos i marrë votat e duhura. Ndërkohë, me 53 vota pro, 6 kundër dhe 6 abstenime, Kuvendi miratoi Raportin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vitin 2015. Ndërsa me 30 pro, 21 kundër dhe 20 abstenime nuk kaloi Raporti i Zyrës së Rregullatorit për Energjinë për vitin 2015.