Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka njoftuar mbrëmjen e djeshme për finalizimin me sukses të një operacioni të gjerë kundër keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe korrupsionit. Ky operacion ka ardhur pas një hetimi disamujor të realizuar nga Policia e Kosovës dhe institucione të tjera relevante, bazuar në të dhënat e siguruara nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë.
Sveçla theksoi se ky operacion ka çuar në arrestimin e disa zyrtarëve të lartë, të dyshuar për përfshirje në veprime të paligjshme të lidhura me procesin e shpronësimit të pronave private. Ndër të arrestuarit është edhe një ish-ministër, duke përfshirë figura të tjera kyçe të administratës publike, si kryetari i degës së Gjykatës së Graçanicës, J.M., dhe zyrtarë të tjerë nga avokatura, ekspertë të gjykatës dhe zyrtarë të Administratës Tatimore të Kosovës.
Sipas hetimeve, personat e arrestuar dyshohet se kanë vepruar si një grup i organizuar kriminal, duke keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare dhe shkaktuar dëme të mëdha në buxhetin e Kosovës. Grupi është akuzuar për iniciimin e dhe deponimin e lëndëve në Gjykatën e Graçanicës për të siguruar rikompensim të paligjshëm për shpronësimet e kryera gjatë periudhës 2011-2015, duke përfituar kështu në mënyrë të kundërligjshme nga fondet publike.
Ministri Sveçla ka theksuar se ky operacion është një dëshmi e vullnetit politik të qeverisë për të luftuar korrupsionin dhe keqpërdorimin e detyrës zyrtare, duke e konsideruar këtë si një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të një shteti ligjor dhe të zhvilluar. Ai përgëzoi institucionet për këtë sukses të rëndësishëm dhe nënvizoi se bashkëpunimi ndërinstitucional dhe mbështetja qytetare po japin rezultate konkrete për ta bërë Kosovën një shtet më të sigurt dhe të pacenueshëm nga krimi.
Sveçla përmendi gjithashtu se koha kur zyrtarët publikë mund të keqpërdornin buxhetin e shtetit pa u ndëshkuar ka mbaruar, dhe se ky është një mesazh i fortë për të gjithë ata që mendojnë të përfshihen në aktivitete të tilla të paligjshme.
