Ish-Presidentja Vjosa Osmani ka reaguar pas shpalljes së aktgjykimit ndaj të akuzuarve për vrasjen e Liridona Ademajt, ku ish partneri i saj u dënua me burg të përjetshëm.

Ajo theksoi se ky vendim është një mesazh i fuqishëm kundër dhunës ndaj grave dhe riafirmim i domosdoshmërisë për mbrojtjen e jetës së grave dhe vajzave.

“Sot drejtësia foli me zë të qartë dhe të prerë. Fatkeqësisht, asnjë aktgjykim nuk e kthen kohën prapa dhe nuk e kthen Liridonën në jetë. Mirëpo sot u riafirmua një parim themelor: çdo cenim i jetës së grave kërkon përgjigjen më të fortë të drejtësisë.

Ky vendim është një mesazh i qartë se dhuna ndaj grave nuk mund të relativizohet as të tolerohet. Por ky nuk është fundi. Është shtytja e domosdoshme që jetët e grave të mbrohen dhe çdo rast dhune të merret seriozisht e të trajtohet në kohë.

Në një ditë si kjo, mendjet tona janë me familjen e Liridonës, si dhe me familjet e të gjitha grave dhe vajzave që nuk janë më në mesin tonë për shkak të femicidit. Për Liridonën. Për çdo grua që nuk arriti të mbijetojë.

Dhe për çdo vajzë që meriton të rritet e lirë dhe pa frikë, drejtësia do të jetë përgjigja përherë, ndërsa parandalimi, mbështetja dhe fuqizimi do të jenë angazhimi ynë i përditshëm”, shkroi Osmani