Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas dënimit me burgim të përjetshëm të dy serbëve për pjesëmarrjen në sulmin terrorist të Banjskës, ku humbi jetën efektivi i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

“Në këtë ditë të rëndësishme për drejtësinë e Republikës së Kosovës, vendimi për sulmin terrorist në Banjskë duhej dhe duhet të reflektojë vetëm një standard: dënime maksimale për të gjithë të përfshirët. Ky standard duhet të vlejë për secilin pjesëtar si pjesë e një rrjeti shumë më të gjerë prej 45 personash të identifikuar, pa përjashtim”, tha Sveçla përmes një postimi në Facebook.

“Sulmi i 24 shtatorit 2023 nuk ishte një akt i izoluar, por një operacion i organizuar me mbështetje shtetërore nga Serbia, me synim cenimin e rendit kushtetues dhe aneksimin e një pjese të territorit të Kosovës. Atë ditë, Republika e Kosovës jo vetëm që përballoi terrorizmin, por ndali një skenar të rrezikshëm për ndarje. Këtë e dëshmojnë faktet dhe provat që dokumentojnë përfshirjen e drejtpërdrejtë të Serbisë”.

Sveçla shtoi se sot, strukturat kriminale dhe paramilitare në veri të Kosovës janë çmontuar. “Rendi kushtetues është mbrojtur. Tani mbetet që Serbia të mbahet përgjegjëse për rolin e saj politik, financiar dhe logjistik në këtë agresion. Dënimi nuk e kthen heroin Afrim Bunjaku, por është një hap drejt drejtësisë për sakrificën e tij dhe për dhimbjen që mbetet te familja, kolegët dhe gjithë qytetarët tanë. Ky vendim duhet të jetë një mesazh i qartë: kushdo që cenon Republikën e Kosovës dhe Policinë e saj, do të përballet me drejtësinë. Drejtësia për Banjskën nuk përfundon këtu. Ajo përmbyllet vetëm kur të gjithë përgjegjësit të dalin para drejtësisë, me në krye Milan Radoiçiçin”.