Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ftuar partitë parlamentare në një takim të përbashkët konsultativ pas dështimit të formimit të qeverisë ku do të diskutohet për caktimin e datës së zgjedhjeve.

Takimi është thirrur për sot në orën 10:30. Në ftesën që u është dërguar partive thuhet:

“Ftoheni në një takim të përbashkët konsultativ për caktimin e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme”.

Ky zhvillim vjen pas seancës së djeshme në Kuvend, ku i mandatuari i LVV-së për formimin e Qeverisë, Glauk Konjufca, nuk arriti t’i sigurojë votat e nevojshme për të marrë postin e kryeministrit.

Kjo ishte përpjekja e dytë e Vetëvendosjes për të formuar Qeverinë, pas dështimit të mandatarit të parë, Albin Kurti, më 26 tetor.

Sipas Kushtetutës, nëse Qeverinë nuk arrin ta formojë as mandatari i dytë, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, duhet t’i shpallë zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda 40 ditëve nga data e shpalljes.