Një ngjarje e rëndë ka tronditur sot fshatin Gullbovc në Malishevë, ku dy vëllezër janë vrarë me armë zjarri para shtëpisë së tyre, në një kohë kur familja ende ndodhej në ditë zie për humbjen e babait të tyre.

Sipas burimeve nga hetimet, vrasja dyshohet të ketë pasur motive familjare. I dyshuari për krimin është Astrit Isufi nga Sankovci, bashkëshorti i motrës së viktimave. Ajo kishte ardhur në fshat për të marrë pjesë në ceremoninë mortore të babait, i cili kishte ndërruar jetë disa ditë më parë.

Sot, ndërsa ende po vinin të afërm dhe miq për ngushëllim, i dyshuari është nisur për të marrë bashkëshorten. Pas largimit të tij disa metra nga oborri i shtëpisë, ai ka kthyer menjëherë dhe ka hapur zjarr ndaj dy vëllezërve, që ndodheshin përpara derës së shtëpisë. Të dy viktimat kanë ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.

Një i afërm i familjes ka deklaruar: “Ishte një moment tragjik. Edhe babanë e kishim varrosur pak ditë më parë, dhe tani vëllezërit humbën jetën në prag të shtëpisë.”

Policia dhe Prokuroria kanë siguruar menjëherë vendin e ngjarjes dhe kanë nisur hetimet. Trupat e viktimave do t’i nënshtrohen obduksionit për të sqaruar shkaqet e vdekjes. I dyshuari është shpallur në kërkim dhe po zhvillohen veprime intensive për kapjen e tij.