Një ngjarje e rëndë ka tronditur mbrëmjen e së dielës fshatin Kërvasari të Malishevës në Kosovë, ku një çift bashkëshortësh u gjet i plagosur me armë zjarri në banesën e tyre.

Policia e Kosovës është njoftuar rreth orës 23:20, ndërsa efektivët kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë gjetur burrin dhe gruan të plagosur në dhomën e gjumit. Të dy janë transportuar drejt QKUK-së për ndihmë të specializuar mjekësore.

Pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve, gruaja nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve dhe ka ndërruar jetë rreth orës 01:10. Sipas të dhënave paraprake, ajo ishte shtatzënë në javën e 34-t.

Në vendngjarje, policia ka gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri, e cila dyshohet se lidhet me ngjarjen.

Ndërkohë, bashkëshorti i viktimës vijon të marrë trajtim në QKUK dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Autoritetet po hetojnë rrethanat e plota të ngjarjes, ndërsa ende nuk është bërë i ditur zyrtarisht motivi apo mënyra se si janë shkaktuar plagët.