Shefi i kabinetit dhe bashkëpunëtori më i afërt i presidentit Hashim Thaçi, Bekim Çollaku ka dalë kundër dialogut Kosovë-Serbi të udhëhequr nga Bashkimi Evropian.


Çollaku, në një postim në Twitter, ka shkruar se rifillimi i dialogut teknik të udhëhequr nga BE-ja nuk është në interesin e Kosovës dhe se është krijuar për të justifikuar hapjen e më shumë kapitjeve për Serbinë.


“Rifillimi i dialogut teknik të udhëhequr nga BE nuk është në interesin e Kosovës. Është krijuar për të justifikuar hapjen e më shumë kapitujve të pranimit për Serbinë ndërsa e lë Kosovën të izoluar nën status quo-në aktuale. Qëllimi duhet të jetë një marrëveshje politike përfundimtare me njohje reciproke”, ka shkruar Çollaku në Twitter.


Reagimi i Çollakut, sipas Kallxo.com, vjen pak ditë pas takimit që kryeministri Hoti kishte me presidentin e Serbisë në Bruksel me ftesë të Bashkimit Evropian. Nuk dihet nëse ky është një qëndrim personal i Çollakut, apo i këtij mendimi është edhe vetë presidenti Thaçi.