
Presidenti i Kosovës. Hashim Thaçi, do të intervistohet sot për të tretën ditë radhazi në Zyrën e Prokurorisë së Specializuar në Hagë.
Pas pyetjeve të së hënës në ditën e parë, të cilat zgjatën 6 orë, kreu i shtetit kosovar deklaroi se ishte diskutuar për “çështje sqaruese, teknike” dhe për interesimin e prokurorëve për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”. Por të martën, ai i shmangu komentet për mediat.
Zyra e Prokurorit të Specializuar njoftoi muajin e kaluar se në 24 prill kishte paraqitur një aktakuzë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit kundër Thaçi, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe disa të tjerëve, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë.
Aktakuza tashmë ndodhet në duart e gjykatësit të procedurës paraprake, i cili ka maksimum gjashtë muaj kohë, nga muaji prill, për ta konfirmuar ose për ta hedhur atë poshtë. Me konfirmimin e cilësdo prej akuzave të rreshtuara aty, i dyshuari bëhet i akuzuar dhe gjykatësi i procedurës paraprake mund të lëshojë një fletarrest apo një urdhërparaqitje.
Thaçi e ka bërë të qartë më herët se nëse aktpadia ndaj tij konfirmohet, ai do të japë dorëheqjen nga posti i presidentit.