Një gjykatë në Beograd ka urdhëruar një muaj paraburgim për një shtetas të Kosovës sot, i cili u arrestua në fund të muajit të kaluar për gjoja krime lufte në vitin 1999, njoftoi Ministria e Jashtme e Kosovës.
Avni Qenaj, veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u arrestua nga policia serbe më 25 nëntor në pikëkalimin kufitar mes dy vendeve, Merdare, teksa po udhëtonte drejt Bosnjës, ku familja e tij ka një biznes familjar.
Në një njoftim në Facebook të enjten, Ministria theksoi se autoritetet gjyqësore në Serbi kanë nisur procedurë penale ndaj Qenaj për gjoja krime lufte të vitit 1999. Ajo tha se arrestimi i Qenajt “përbën vazhdimësi të praktikave të Serbisë për ndjekje politike ndaj qytetarëve të Kosovës, përmes akuzave të pabazuara dhe të motivuara politikisht”.
Shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi, Jetish Jashari, e vizitoi të mërkurën Qenaj në Qendrën e Paraburgimit të Gjykatës së Lartë për Krime të Luftës në kryeqytetin serb, tha Ministria.
“Qenaj ka deklaruar se gjatë qëndrimit në arrest policor i është ushtruar presion psikologjik, por pa keqtrajtim fizik, dhe se as aktualisht nuk ka keqtrajtime nga autoritetet e paraburgimit”, thuhet në njoftim.
Qenaj nuk është vizituar nga familjarët, por pret vizitën e tyre në ditët në vijim. Familjarët e tij kanë angazhuar katër avokatë mbrojtës për përfaqësimin e tij ligjor në këtë rast, informon Radio Evropa e Lirë. Ditën e arrestimit të tij, Organizata e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tha se Qenaj, nga Romaja e Prizrenit, kishte shërbyer në brigadën 138 “Agim Ramadani” në Koshare.


