Aksidentet e fundit me pasoja tragjike në Rrugën e Kombit kanë shkaktuar një përplasje të fortë politike në Kosovë mes kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, dhe Dejona Mihalit, një prej figurave më të afërta me kryeministrin Albin Kurti.
Debati nisi pasi Përparim Rama publikoi një reagim në rrjetet sociale, ku kritikoi qeverinë për, sipas tij, mungesën e masave për rritjen e sigurisë rrugore dhe për menaxhimin e fondeve publike.
“Qytetarët po paguajnë çmimin me jetë dhe me taksat e tyre, ndërsa pushteti vazhdon të jetojë në realitetin e propagandës së vet”, shkroi Rama në Facebook, duke iu referuar edhe kostos së heqjes së dheut në një segment të autostradës.
Përgjigjja nuk erdhi nga kryeministri Albin Kurti apo anëtarë të kabinetit qeveritar, por nga Dejona Mihali, e cila përmes një postimi në rrjetet sociale akuzoi kryebashkiakun e Prishtinës se po përdor tragjedinë për përfitime politike.
Në reagimin e saj, Mihali përdori tone të ashpra ndaj Ramës, duke e akuzuar për keqmenaxhim të kryeqytetit dhe duke ngritur edhe akuza personale ndaj tij.
Dejona Mihali, e lindur në Tiranë dhe e angazhuar prej vitesh me Lëvizjen Vetëvendosje, nuk mban një post zyrtar në Qeverinë e Kosovës. Megjithatë, ajo konsiderohet gjerësisht si një prej personave më me ndikim pranë kryeministrit Albin Kurti.
Emri i saj ka qenë më parë në qendër të debatit politik në Kosovë, veçanërisht pas deklaratave të ish-deputetit Haki Abazi, i cili pretendoi se Mihali kishte një rol të rëndësishëm në vendimmarrjen brenda Lëvizjes Vetëvendosje.
Ndër vite, ndaj saj janë ngritur edhe akuza politike lidhur me lidhjet e saj me Greqinë, pretendime që kanë nxitur debate në skenën politike kosovare.
