Një kërcënim për bombë në aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari” ka vënë në lëvizje Policinë e Kosovës.

Lajmin e ka konfirmuar zyrtarisht zëdhënësja e Aeroportit Valentina Gara.

“Konfirmojmë se kemi pranuar një kërcenim me bombë. Udhëtarët dhe personeli janë evakuar. Ekipet emergjente janë involvuar ne detyrat dhe përgjegjësitë e caktuara”, ka njoftuar Gara.

Policia e Kosovës nga ana tjetër thotë se informatat për kërcënim janë pranuar rreth orës 16:00.

“Rreth orës 16:00 është pranuar informata për dyshimet që ndërlidhen me një shpërthim të mundshëm në Aeroportin Ndërkombëtar  “Adem Jashari”. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur ndërmarrjen e veprimeve operative të nevojshme për të menaxhuar me situatën”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.