Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka njoftuar se do të pezullojë dialogun strategjik me Kosovën.
Sipas deklaratës, shkak për këtë veprim janë bërë veprimet e qeverisë së Kosovës dhe konkretisht disa deklarata të kryeministrit Albin Kurti.
“Shtetet e Bashkuara kanë pezulluar për një kohë të pacaktuar Dialogun e tyre Strategjik të planifikuar me Kosovën për shkak të shqetësimeve në lidhje me veprimet e qeverisë së përkohshme që kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën mbi prioritetet e përbashkëta”, thuhet në komunikatën e së enjtes.
Më tej thuhet se deklaratat e fundit të kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit paraqesin sfida.
“Ne mbetemi të përkushtuar për të çuar përpara interesat e përbashkëta të Shteteve të Bashkuara dhe popullit të Kosovës. Marrëdhënia jonë me Kosovën bazohet në një qëllim të përbashkët: forcimin e paqes dhe stabilitetit si bazë për prosperitet të ndërsjellë ekonomik. Fatkeqësisht, veprimet dhe deklaratat e fundit nga Kryeministri i Përkohshëm Kurti kanë paraqitur sfida për progresin e bërë gjatë shumë viteve”, shtohet tutje në njoftim.
Dialogu strategjik kishte për qëllim forcimin e lidhjeve ekonomike dhe diplomatike në dobi të SHBA-së dhe Kosovës.