
Rasti i të moshuarës që u dhunua nga punonjëset e azilit në Pejë, bëri bujë në të gjithë rrjetet sociale dhe mediet duke prekur të gjithë opinion publik.
Ky rast i rëndë nuk ka mbetur pa u shfrytëzuar nga serbët të cilët e kanë trumpetuar si një akt dhune të ndodhur ndaj një qytetareje serbe që jeton në Kosovë.
Deklarata të tilla janë edhe më shumë të rrezikshme duke pasur parasysh tensionet në veri të Kosovës, pas vendimit të qeverisë për të mos shtyrë afatin e ndryshimit të targave.
Eksperti i sigurisë në Kosovë, Agim Musliu ka publikuar këtë fakt, ndërsa ka shpërndarë se në një llogari në Facebook me emrin Balsa Lekic, i cili si vendbanim ka vendosur Mitrovicën, kishte shkruar se në Pejë infermieret shqiptare e kanë sulmuar fizikisht një të moshuar serbe.
Musliu e ka konsideruar këtë përpjekje si pjesë të luftës hibride serbo-ruse ndaj Kosovës. Pas reagimit të Musliut, në profilin e Lekic është redaktuar pjesa ku thuhej se e moshuara ndaj të cilës u ushtrua dhunë, ishte serbe.