Dy familjarë të kryetarit të komunës së Obiliqit, Halil Thaçit kanë rënë në prangat e policisë në Kosovë. Sipas mediave vendase, nipi dhe vëllai i Thaçit janë dërguar në paraburgim pasi kanë sulmuar një qytetar në fshatin Babimofc të Obiliqit, mbrëmjen e djeshme.

Arben e Erlind Thaçi kanë sulmuar djalin e veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Dalip Berishës. Ata e kanë dhunuar me shufër hekuri dhe shkop bejsbolli, duke i shkaktuar lëndime në fytyrë. I dhunuari është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ku po merr mjekimin e nevojshëm. Deri më tani, ende nuk ka konfirmim zyrtar nga Policia e Kosovës për detajet e rastit, apo shkaqet e dhunës.

Halil Thaçi është kryetari i Komunës së Obiliqit, nga partia “Lëvizja Vetvendosja”.