Një grua në Gadime të Ulët të Lipjanit është goditur me sëpatë të hënën, më 24 nëntor, teksa Policia e Kosovës tha se është në kërkim të të dyshuarit. Mediat lokale dhe Rrjeti i Grave të Kosovës raportuan se i dyshuari është ish-bashkëshorti i viktimës.
“Sot në stacionin policor të Lipjanit, është iniciuar një rast vrasje në tentativë. Hetuesit policorë në koordinim me Prokurorinë, kanë nisur veprimet hetimore e procedurale ,ndërkohë që personi i lënduar [femër] është dërguar për tretman mjekësor”, tha për Radion Evropa e Lirë Flora Ahmeti nga Policia e Kosovës.
Nuk dihet se cila është gjendja shëndetësore e viktimës.
Rrjeti i Grave të Kosovës shprehu shqetësim për rastin, duke thënë se gruaja “është sulmuar brutalisht me sëpatë nga ish-bashkëshorti i saj, pavarësisht faktit se ndaj tij kishte urdhër për mbrojtje aktiv”.
“Ky rast tregon edhe një herë se mungesa e zbatimit të plotë të urdhrave për mbrojtje vazhdon të rrezikojë jetën e grave në Kosovë, duke dështuar t’i ofrojë mbrojtjen që ligjërisht u takon”, tha RrGK-ja.
Ky rrjet kërkoi që gjykata të japë vendim për vendosjen e bylyzykut për mbikëqyrje elektronike, të japin dënime meritore dhe të përshpejtojnë procedurat në rastet e dhunës në familje “dhe të mos lejojnë tolerim ndaj dhunuesve”.
“Dhuna ndaj grave është krim dhe duhet trajtuar si urgjencë kombëtare. Asnjë grua nuk duhet të jetojë me frikë, dhe asnjë urdhër për mbrojtje nuk duhet të mbetet vetëm në letër”, tha Rrjeti i Grave të Kosovës, organizatë që ofron këshillim dhe ndihmë juridike falas për të gjitha viktimat e dhunës në bazë gjinore.
Organizatat për të drejtat e njeriut dhe institucionet kanë ngritur shpesh shqetësimet për dhunën ndaj grave, teksa viteve të fundit Kosova ka shënuar rritje të rasteve të dhunës në familje. Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, më 2024 ishin 2.959 raste të raportuara për dhunë në familje, ndërkaq më 2023 ishin regjistruar 2.460 raste.
Në shumicën dërrmuese të tyre, viktima janë gratë.
Nga viti 2010 deri në mars të vitit 2025, në Kosovë janë vrarë 59 gra. Në të shumtën e rasteve, autorë të këtyre krimeve kanë qenë bashkëshortët ose ish-bashkëshortët.
Në shtator të vitit 2020, Kosova ka miratuar Konventën e Stambollit, të hartuar nga Këshilli i Evropës si instrument që detyron shtetet të luftojnë dhunën kundër grave dhe dhunën në familje.
Megjithatë, organizatat që merren me të drejtat e grave shpesh kanë kritikuar institucionet e drejtësisë, duke thënë se “dënimet e lehta” po i “trimërojnë” kryesit e këtyre veprave./REL
