Në lumin Bistrica në fshatin Grabanicë të komunës së Klinës është gjetur trupi i pajetë i një gruaje, e cila ishte raportuar e zhdukur nga familjarët mbrëmë.

Sipas zëdhënësit të policisë së Pejës, Fadil Gashi, trupi është lokalizuar rreth orës 13:30 në fshatin Grabanicë. Viktima është gjetur rreth 13 kilometra larg urës së fshatit dhe vdekja është konstatuar nga ekipi mjekësor në vendngjarje.

“Vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku në vendin e ngjarjes. Më vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit policorë dhe prokurori i shtetit. Me urdhër të Prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar për IML”, tha Gashi.

Ai shtoi se fillimisht rasti ishte regjistruar si “person i zhdukur”, ndërsa trupi u gjet “diku një kilometër larg urës së fshatit”.

“Mbrëmë rreth orës 19:00, në stacionin e policisë është raportuar për një person të zhdukur. Për rastin kishin nisur hetimet si “Person i zhdukur”. Policia ka nisur kërkimet për personin në fjalë, ndërkaq, sot u informuam se është gjetur një person pa shenja jete. Pas identifikimit është konstatuar se bëhet fjalë për të njëjten person. Rasti po cilësohet si “Hetim i vdekjes”.

“Mjeku e ka konstatuar vdekjen”, tha zëdhënësi, duke theksuar se hetuesit rajonalë dhe prokurori i shtetit ishin të pranishëm në vendin e ngjarjes.