Policia e Kosovës ka zhvilluar sot disa kontrolle në shkolla në Mitrovicë të Jugut dhe në Skënderaj. Sipas njoftimit të policisë, në një nga shkollat e mesme në Skenderaj është realizuar një kontroll i nxënësve nga stafi i shkollës dhe një nxënësi i është gjetur një thikë, ndërsa një tjetri i është gjetur një pistoletë, 19 fishekë, një gëzhojë dhe një predhë e armës së gjatë.

Policia ka konfiskuar të gjitha sendet e dyshuara dhe dy nxënësit janë shoqëruar në polici, ku janë marrë në pyetje në prani të prindërve të tyre. Më tej, policia apelon tek të gjithë nxënësit që të mos bartin armë dhe mjete të rrezikshme pasi që veprime të tilla paraqesin rrezik serioz për sigurinë dhe janë të ndaluara me ligj.

Njoftimi i policisë:

“Realizohen kontrolle në shkolla, konfiskohet një armë zjarri nga një nxënës i shkollës së mesme në Skenderaj. Në kuadër të angazhimeve të vazhdueshme për parandalimin e dukurive negative dhe rritjen e sigurisë në shkolla dhe përreth tyre, Policia në rajonin e Mitrovicës ka planifikuar dhe ka realizuar kontrolle të kohëpaskohshme nëpër shkolla. Në bazë urdhëresës së lëshuar nga Gjykata kompetente, policia gjatë javës së kaluar ka realizuar kontrolle në tri shkolla të mesme të larta në Mitrovicë Jug ku janë kontrolluar 460 nxënës mirëpo tek nxënësit nuk është gjetur asnjë mjet i rrezikshëm apo i kundërligjshëm.

Sot, në njërën nga shkollat e mesme të larta në Skenderaj është realizuar një kontroll i nxënësve nga vet stafi i shkollës dhe pas përfundimit të kontrollit, njësia policore për sigurinë në shkolla është njoftuar nga drejtori i shkollës se gjatë kontrollit tek dy nxënës janë gjetur mjete të rrezikshme.
Tek një nxënës është gjetur një mjet i mprehtë (thikë), ndërsa tek një nxënës tjetër janë gjetur:

  • një armë zjarri e llojit pistoletë;
  • 19 fishekë;
  • një gëzhojë;
  • një predhë e armës së gjatë.

Policia ka konfiskuar të gjitha gjësendet e dyshuara dhe të dy nxënësit janë shoqëruar në stacion policor. Të njëjtit janë intervistuar në prani të prindërve dhe mbrojtësve të tyre. Pas njoftimit të prokurorit për të mitur, me vendim të tij nxënësit janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa ndaj nxënësit tek i cili është gjetur arma e zjarrit është iniciuar rasti për veprën penale: “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Kontrolle të tilla do të realizohen edhe në të ardhmen andaj Policia apelon tek të gjithë nxënësit që të mos bartin armë dhe mjete të rrezikshme pasi që veprime të tilla paraqesin rrezik serioz për sigurinë dhe janë të ndaluara me ligj.”, shprehet policia.