Një aksident i rëndë, që mund të kishte përfunduar edhe në tragjedi, ka ndodhur në Maqedoninë e Veriut.
Mësohet se dy shqiptarë kanë mbetur të plagosur, pasi një avion i vogël me të cilin ata po udhëtonin, u rrëzua në Liqenin e Mavrovës. Sipas dëshmisë së pilotit, avioni pësoi një defekt në motor dhe u rrëzua në liqen. Fatmirësisht, si ai, ashtu edhe pasagjeri shqiptar mundën të mbijetonin, pavarësisht se kanë marrë disa lëndime. Ata janë dërguar në Spitalin e Gostivarit për trajtim mjekësor.
Njoftimi i autoriteteve për ngjarjen:
Sipas raportimit, nga avioni në tokë kanë arritur të dalin dy shtetas kosovarë, XH.P. dhe D.M., i cili drejtonte mjetin fluturues. Ata kanë pësuar lëndime dhe janë transportuar në Qendrën Mjekësore Gostivar për të marrë ndihmë mjekësore.
Qendra për Menaxhimin e Krizave në Maqedoninë e Veriut njoftoi se pas marrjes së informacionit për rrëzimin e avionit, menjëherë në vendngjarje dolën ndihma e shpejtë, qendra rajonale e menaxhimit të krizave për ndërhyrje të shpejtë dhe Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë.
Sipas mediave në Maqedoninë e Veriut, avioni i markës Piper mund të transportojë deri në katër persona. Avioni që u rrëzua kishte qarkulluar edhe më herët në hapësirën ajrore të Maqedonisë së Veriut dhe kishte marrë pjesë edhe në ngjarje të aviacionit, sikurse një shfaqje ajrore e organizuar në Shkup më 2023.



