Një 26-vjeçar ka ndërruar jetë në vendin e tij të punës pas rrëzimit të vinçit. Ngjarja e rëndë ka ndodhur një ditë më parë në Prishtinë, ku i lënduar nga incidenti ka mbetur dhe një punëtor tjetër në këtë kantier ndërtimi.

Nga Inspektorati i Punës kanë bërë të ditur se vinçi është rrëzuar gjatë procesit të montimit të tij në kantier, derisa njoftuan se do kryhet ekspertiza e nevojshme për të gjetur shkaktarin.

“Sa i përket shkakut të aksidentit, në këtë fazë është ende herët të nxirret një konstatim inspektues, pasi natyra dhe rrethanat e rastit kërkojnë hetime dhe ekspertiza të mëtejshme për të përcaktuar shkakun e saktë të aksidentit, si dhe përgjegjësinë lidhur me zbatimin e masave të sigurisë dhe shëndetit në punë”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë, Policia e Kosovës në bashkëpunim me prokurorinë e Prishtinës kanë nisur tashmë hetimet mbi rastin.

“Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme. Aktualisht, njësitet relevante policore, në koordinim me prokurorin e shtetit, kanë filluar hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit”, kanë deklaruar nga policia.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka shprehur ngushëllime familjes së 26-vjeçarit që humbi jetën në vendin e punës, e shtoi se siguria në punë duhet të jetë kusht i panegociueshëm.

Vinçi i rrëzuar në punishte është thyer dhe ka rënë mbi çatinë e një shtëpie afër, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme.

Pronari i shtëpisë ka bërë të ditur se në momentin e incidentit nuk ka pasur asnjë person brenda shtëpisë.