Mbrëmja e djeshme ka rezultuar e kobshme për Kosovën pasi 5 persona kanë humbur jetën e tre të tjerë janë plagosur si pasojë e 3 aksidenteve të ndodhur në një hark kohor të shkurtër. Siç bën me dije policia e Kosovës, aksidentet kanë ndodhur në Graçanicë, Podujevë dhe Pejë. 

Aksidenti i parë ka ndodhur rreth orës 16:30, në rrugën Llapnasellë-Graçanicë, ku një person ka vdekur dhe një tjetër është plagosur rëndë.

Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e ka konfirmuar rastin për mediat e Kosovës, ndërsa ka treguar se në këtë aksident kanë qenë të përfshira dy makina, të cilat kanë qenë në lëvizje.

 “Sot rreth orës 16:30 kemi pranuar informatën se në rrugën Llapnasellë -Graqanicë, ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale.Në këtë aksident kanë qenë të përfshira, dy automjete, të cilat kanë qenë në lëvizje. Si pasojë e aksidentit lëndime trupore kanë pësuar dy persona, një prej tyre nuk ka arritë të përballojnë plagët dhe i njëjti ka ndërruar jetë. Vdekjen e ka konstatuar ekipi mjekësor në QKUK. Me rastin po merret hetuesia nga njësiti i trafikut rrugor”, ka thënë Ahmeti.

Dy persona të tjerë kanë humbur jetën si pasojë e një aksidenti që ka ndodhur në Podujevë, në afërsi të fshatit. Edhe këtë rast e ka konfirmuar Ahmeti, e cila bëri me dije se edhe një person ka mbetur i plagosur rëndë.

“Sot rreth orës 20:30 në rrugën që lidhë fshatin Sfeqël me fshatin Shajkovc të Podujevës, ka ndodhur një aksident trafiku, ku është përfshirë një veturë. Si pasojë e aksidentit tre persona kanë pësuar lëndime të rënda trupore. Dy nga personat e lënduar nuk kanë arrit të përballojnë plagët e shkaktuara nga aksidenti dhe të njëjtit kanë vdekur. Vdekjen e viktimave e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje.Me hetimin për zbardhjen e shkaqeve të këtij vetaksidenti, po merren hetuesit nga Njësiti i trafikut”, ka deklaruar Ahmeti.

Një tjetër aksident me fatalitet ka ndodhur në fshatin Ozdrim të Pejës. Si pasojë e këtij aksidenti kanë vdekur dy persona, dhe është plagosur rëndë një tjetër, i cili është dërguar për trajtim në Spitalin e Pejës. Lajmin për mediat e Kosovës e ka konfirmuar zëdhënësi i PK të Pejës, Driton Rugova, i cili ka treguar se poashtu shoferi i automjetit gjendet në stacionin Policor të Pejës.

“Policia është informuar për një askidnet trafiku në Ozdrim të Pejës. Të përfshira janë një veturë dhe tre këmbësorë. Dy janë të vdekur, këmbësori i tretë është dërguar për trajtim në Spitalin e Pejës. Vozitësi i Automjetit është në stacion policor në Pejë” , ka deklaruar Rugova.

Lidhur me rastin ka folur edhe zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi, i cili ka konfirmuar aksidentin tragjik.  Policia ka nisur hetimet për shkaqet e 3 aksidenteve tragjike.