Astrit Isufi, i dyshuari për vrasjen e dy vëllezërve në fshatin Golluboc të Malishevës, është arrestuar në orët e hershme të mëngjesit në një fushë në fshatin Plloqicë të Malishevës. Ai ishte i plagosur dhe menjëherë pas arrestimit është dërguar për trajtim mjekësor në urgjencën e Malishevës, dhe më pas është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) nën masa të rrepta sigurie.

Naser Syla, drejtori i Emergjencës në Malishevë, ka konfirmuar për mediat se gjendja e Isufit është stabile, ndërsa është duke iu bërë një seri ekzaminimesh mjekësore. Ai ka shtuar se pas stabilizimit të gjendjes, i dyshuari do të transferohet në Kirurgjinë Abdominale për trajtim të mëtejshëm.

Arrestimi i Astrit Isufit vjen pas një ngjarjeje tragjike që ndodhi në Golluboc, ku ai dyshohet se vrau dy vëllezërit, njëri 32 dhe tjetri 45 vjeç, për shkak të një konflikti të shkaktuar në momentin kur ai shkoi për të marrë bashkëshorten e tij. Pas krimit, Isufi u largua nga vendi i ngjarjes dhe ishte në arrati deri në arrestimin e tij.

Hetimet për këtë ngjarje vazhdojnë, ndërsa autoritetet po merren me procedurat ligjore ndaj të dyshuarit, i cili përballet me akuza për “Vrasje të rëndë” dhe “Mbajtje të armëve pa leje”.