Një vrasje ka ndodhur mbrëmjen e së hënës në lagjen Hajvali të Prishtinës.
Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka deklaruar se viktima është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) pa shenja jete.
“Sot rreth orës 22:00, është raportuar për gjuajtje me armë zjarri, në Hajvali, ku është vrarë një person. Vdekja e viktimës mashkull është konstatuar nga ekipi mjekësor në QKUK. Policia ka nisë një hetim për zbardhjen e rastit, ndërkohë që është në kërkim të personit të dyshuar i cili tashmë është identifikuar”, ka deklaruar Ahmeti.
Viktima është identifikuar si Muhamet Matoshi, 41 vjeç, i cili sipas dëshmive të para, u vra pas një konflikti në trafik që eskaloi në përdorim armësh.
Edhe drejtori i Klinikës Emergjente, Naser Syla, ka konfirmuar se viktima kishte plagë të shkaktuara nga arma e zjarrit:
“Në QKUK ka ardhur i vdekur me plagë nga arma e zjarrit”.
Ndërkohë i dyshuari për vrasjen siç raportoi Gazeta Sinjali, është Xhemajl Nuhiu, i cili sipas Policisë së Kosovës është tashmë në arrati.
Autoritetet janë duke zhvilluar hetimet për zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarjeje.