Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka shpallur sanksione ndaj 8 persona të përfshirë në një grup kriminal në Kosovë.

Grupi i njohur me emrin “Rrjeti Krasniqi”, akuzohet për krijimin e dokumenteve false dhe kontrabandën e njerëzve përmes rrugëve të Ballkanit Perëndimor. Autoritetet britanike kanë vlerësuar se grupi ka ndihmuar bandat ballkanike të lehtësojnë kalimin e paligjshëm të emigrantëve drejt Evropës Perëndimore.

Në listën e sanksioneve janë përfshirë disa anëtarë të rrjetit, mes tyre Burim Krasniqi (i identifikuar si udhëheqësi i rrjetit), Arif dhe Valon Krasniqi, Sami Duriçi, Granit Avdyli, Nexhmije Selmani, Endrit dhe Shkëmbim Ermellahu. Ata janë përfshirë në prodhimin, shpërndarjen dhe sigurimin e pajisjeve për falsifikim të dokumenteve.

“Në shënjestër sot, me mbështetjen e autoriteteve kosovare, është rrjeti i falsifikimit Krasniqi, një bandë kriminale me bazë në Kosovë që drejtonte një laborator të sofistikuar falsifikimi duke prodhuar dokumente të falsifikuara.

Rrjeti Krasniqi është një grup i krimit të organizuar me bazë në Kosovë, përgjegjës për prodhimin e dokumenteve të falsifikuara dhe furnizimin e tyre me to bandave kriminale. Grupi krijoi pasaporta, dokumente identifikimi dhe leje drejtimi të falsifikuara për mbi 50 vende, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, duke përdorur një laborator të sofistikuar falsifikimi“-, thuhet në njoftimin e qeverisë britanike.

Këto zhvillime lidhen me një rast të zbuluar më parë nga Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës, në janar 2025, kur autoritetet sekuestruan në Prishtinë një laborator të sofistikuar për falsifikimin e dokumenteve. Në bastisje u gjetën mbi 20 mijë mikroçipa, printerë profesionalë, makina laserike dhe mijëra dokumente të falsifikuara nga 51 shtete të ndryshme.