Dragisa Milenkovic është serbi i arrestuar në Graçanicë nën dyshimet për krime lufte kundër popullsisë civile.

Më herët, policia njoftoi se janë siguruar prova që dëshmojnë se në bashkëpunim edhe me pjesëtarë të tjerë, kanë ushtruar torturë, dhunë fizike, psikike, keqtrajtime dhe tortura çnjerëzore dhe të skajshme për jetën ndaj të burgosurve shqiptarë.

“Si rezultat i punës dhe hetimeve intensive Policia e Kosovës, me datën 21.06.2023, në orët e paradites, zonën e Graçanicës, ka ndaluar dhe ka shoqëruar në polici të dyshuarin në fjalë.

Zyrtarët kompetent nën autoritetin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe urdhrit të gjyqtarit të procedurës paraprake-Departamenti Special, kanë zbatuar kontroll në shtëpinë e të dyshuarit, ku në cilësi të provave materiale janë sekuestruar: Një armë zjarri-revole e tipit “Zastava” cal.9mm, 136 fishek të kalibrit 9x19mm, thikë ushtarake e tipit SOG Speciality Knives, shufër metalike “Taiwan”, dokumente, vendime, notes dhe telefon personal, etj”, thuhet në njoftimin e policisë.

Në konsultim me prokurorin kompetent nga Prokuroria Speciale i dyshuari është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës të siguruar nga familja, nën dyshimin se është përfshirë në veprën penale ‘krime lufte kundër popullsisë civile’.