Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në Kosovë, Rozeta Hajdari, e ka cilësuar si “sulm politik” ndaj Qeverisë së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, aktakuzën e ngritur kundër saj dhe tre të tjerëve për keqpërdorimin e dyshuar të rezervave shtetërore.

“Çdo pretendim i Prokurorisë Speciale nuk qëndron dhe vetëm afirmon tendencën politike të kësaj prokurorie ndaj Qeverisë Kurti. Çdo pretendim tjetër është pohim në dobi politike që është i palejueshëm dhe i pamoralshëm duke marrë parasysh periudhën ku ndodheshim ne më 2022”, tha Hajdari në një konferencë për media të premten.

Hajdari dhe dy zyrtarë të Ministrisë së saj, Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara, dyshohen se në bashkëkryerje i kanë keqpërdorur detyrat zyrtare me qëllim që të përfitonin pasuri për persona të tjerë dhe i kanë shkaktuar 3 milionë euro dëm buxhetit të Kosovës gjatë muajve shkurt dhe mars 2022.

Hajdari theksoi se sigurimi i rezervave shtetërore të mallrave ishte “jetik” në atë kohë, “sepse siguria kombëtare ishte në rrezik dhe duhej reagim i menjëhershëm i institucioneve tona”.

Ajo tha se pasi Rusia e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt 2022, “gjithçka ishte më sfiduese, dhe se Ministria e saj në atë kohë nuk arriti të sigurojë asnjë ofertë nga kompanitë për furnizim të mjaftueshëm, informon Radio Evropa e Lirë.

Për këtë, ajo tha se kishin kërkuar përjashtimin nga procedurat e prokurimit, sepse në kohë të luftës ishte e rëndësishme të mbronin sigurinë kombëtare të furnizimit me ushqim jetik për jetesë dhe sepse një procedurë e tillë është e paraparë me ligj.

Prokuroria e akuzon atë dhe zyrtarët e tjerë, plus një person të katërt se asokohe kishin blerë një sasi vaji dhe një sasi gruri jashtë vendit, që dyshohet se nuk kishin arritur kurrë në Kosovë.