Një krenari, por edhe një dëshmi e fortë. Kosova mund të jetë një shtet fare i ri, ende jo i njohur plotësisht botërisht, ende jo pjesë e OKB-së, por gjithsesi futbolli i saj është në rol prijësi në Ballkan.

Pas sukseseve të ekipit përfaqësues “dardan” dhe të klubeve të ndryshëm si Ballkani apo Drita në kupat europiane, ja ku vjen spikatja e radhës.

Në afërsi të kryeqytetit Prishtinë u përurua Akademia e hapur nga FIFA, në bashkëpunim me autoritetet e futbollit në vend, në një ceremoni me prani të drejtuesve të Federatës, trajnerë, lojtarë, prindër dhe përfaqësues të institucioneve të Kosovës.

Presidenti I Federatës, Agim Ademi, theksoi pikërisht rëndësinë e kësaj shkolle futbolli, si dhe atë që kjo është shenjë besimi ndaj Kosovës.

Kjo Akademi e Talenteve është hapur në Qendrën Kombëtare të Federatës, në Hajvali, pranë Prishtinës, dhe FIFA e cilëson këtë si një moment kyç për zhvillimin e këtij sporti në vend.

Akademia është e para e llojit të saj në Ballkan, dhe nga katër Akademitë aktive të talenteve të krijuara nga FIFA në Europë.

E gjitha kjo, në kuadër të planit të organizatës së drejtuar nga presidenti Infantino dhe nga Shefi i Zhvillimit Global të Futbollit të Skemës së Zhvillimit të Talenteve të Arsen Vengerit.