Dhuna barbare e ushtruar ndaj 3-vjeçarit në çerdhen “Gëzimi ynë” në Fushë Kosovë, ka shokuar opinionin publik.
Pas denoncimit publik të rastit të rëndë, policia shoqëroi edukatoret, të cilat dhunonin të miturin. Njëra prej tyre ka tentuar edhe të fshehë fytyrën pasi ka dalë nga komisariati, edhe pse tashmë fotot e tyre janë publikuar kudo.
Duke dashur t’u ikë mediave, ajo ka vendosur çantën si mburojë për të mos u identifikuar.
Rasti i dhunës u denoncua nga familjarët e 3-vjeçarit, duke publikuar një video, ku shihej se si edukatoret, pastruesja dhe kuzhinierja e çerdhes e rrihnin të miturin dhe e tërhiqnin zvarrë pa mëshirë.
Ditën e sotme, për “Shqipëria LIVE”, ka folur nëna e të miturit, e cila ka treguar se dhunën e zbuloi pasi pa shenjat në trupin e djalit. Ajo u shpreh se i mituri i kishte treguar se kishte frikë të shkonte në kopsht, ndërsa si shkak për dhunën thotë se është fakti që djali donte të shkonte në shtëpi, pasi në kopsht ishin disa fëmijë që qanin dhe ai ishte i frikësuar.
“Besoj që drejtësia ka për të fituar, ne besojmë tek ligjet dhe tek shteti. Unë e kam biseduar me të gjithë familjen. Djali im ka qenë shumë në ankth, ka frikë, nuk donte të rrinte vetëm. Më thoshte ‘mos më ço në kopsht, mësuset janë të këqija.’ Kur kam marrë djali në kopsht të premten, më ka thënë mësuesja vetë që nuk është mirë. Për shenjat, ja kam parë unë kur doja ta pastroja, ta ndërroja që ta vija në gjumë. E kontrollova te mjeku dhe tha që janë shenja dhune. Por kam vënë re se djali ka qenë shumë keq, në ankth gjatë natës.
Unë jam e sigurt që e kanë dhunuar më shumë person. Më shkoi direkt mendja që ishin edukatoret që e dhunonin. Kam folur direkt me drejtoreshën dhe ajo më ka pritur shumë mirë dhe më tha që do t’i mbroj të drejtat e fëmijëve. Më tha që duhet të bëja një ankesë. I kërkova të therrisja mësueset. Në atë moment nuk ishin të treja, ishte vetëm një. Djali u tremb shumë kur e pa këtë mësuese. Njëra nga edukatoret më tha që nuk e njoh, tjetra që nuk është i dhunuar nga ne dhe tjetra që mos i ekzagjeroni gjërat. Edukatoret janë justifikuar duke thënë po ashtu se shenjat i ishin bërë nga fëmijët e tjerë.
Djali më ka treguar që aty dhunohen edhe fëmijë të tjerë. Dhuna nuk tolerohet, sidomos tek fëmijët. Djali im ka dashur të vijë në shtëpi sepse ishin disa fëmijë të tjerë që qanin dhe ai nuk ndihej mirë. Jam shumë e shqetësuar. Por do i shkoj deri në fund kësaj gjëje. Unë kam bërë denoncimin në polici pasi kam takuar drejtoreshën. Për pamjet, kam shkuar dhe u kam thënë nëse nuk mi jepni do ju denoncoj dhe drejtoresha nuk kundërshtoi.”- tha nëna.