Një incident ka ndodhur sot në Skenderaj, ku eskorta e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, është sulmuar me vezë nga persona të panjohur gjatë një vizite për përurimin e një çerdhe në këtë qytet.

Për ngjarjen ka reaguar asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Skenderaj, Hysni Mehani, i cili ka akuzuar ish-kryetarin e Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, si organizator të këtij akti.

“Sulmet e Sami Lushtakut me vezë janë dëshmi që ju ka lagë baruti, po ashtu dëshmi e mendësisë primitive që udhëheq me PDK-në në Skenderaj, e fatkeqësisht krejt PDK-në,” – ka shkruar Mehani në një postim në Facebook.

Ai ka vënë në pah se pavarësisht këtij incidenti, lajmi i vërtetë i ditës është përurimi i një çerdhe të re, e cila sipas tij është rezultat i një investimi prej 3.2 milionë eurosh nga Qeveria e Kosovës në këtë komunë vetëm gjatë këtij mandati.

Mehani ka kritikuar mediat që, sipas tij, i japin më shumë vëmendje incidentit sesa punëve të mira të qeverisë:

“Mediat që po më shkruajnë i inkurajoj të merren me punët e mira të Qeverisë dhe të mos merren me ata që po duan gjithsesi të prodhojnë lajme të këqija për Skenderajn.”

Duke iu referuar të kaluarës së përfaqësuesve të PDK-së në këtë komunë, ai ka thënë:

“Ata që kanë gjuajtur me kallash kur fituan kundër një pasardhësi të Jasharajve, nuk na bëjnë përshtypje kur gjuajnë me vezë.”

Sipas tij, opozita lokale ka mbetur pa ide dhe po mundohet të tërheqë vëmendjen përmes incidenteve:

“Barutin e kanë lagur. Ide për zhvillimin e qytetit nuk kanë. Pronat për të vjedhur ju kanë harxhuar, po duan të fitojnë vëmendje me skandale.”

Deri tani, PDK nuk ka dhënë ndonjë koment zyrtar lidhur me këto akuza. Policia nuk ka konfirmuar ende identitetin e personave të përfshirë në incident.