Dy avionë të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, kanë ateruar gjatë së martës në Kosovë, një ditë para verdiktit përfundimtar ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Gjatë ditës, një avion i KFOR-it ka ateruar në Prishtinë, pasi ka fluturuar nga Tbilisi, kryeqyteti i Gjeorgjisë, ndërsa në FlightRadar figuron në kategorinë “ushtarak/qeveritar”.

Avioni nga Tbilisi është nisur në orën 03:09, ndërsa në Prishtinë ka mbërritur në orën 16:15. Avioni, një ditë më parë, kishte ndjekur itinerarin Belgjikë–Tbilisi, nga Tbilisi ka vazhduar drejt Jerevanit, ndërsa më pas është kthyer sërish në Tbilisi.

Ndërkaq, një tjetër avion ka ateruar nga Italia në Prishtinë në orën 11:30, i cili po ashtu është kategorizuar si “ushtarak/qeveritar”

Sipas uebfaqes FlightRadar, edhe një Bombardier Global 5000 është rrugës për të mbërritur në Kosovë, i cili po ashtu është i kategorizuar si aeroplan ushtarak/qeveritar.

KFOR-i ka konfirmuar se është duke ndërmarrë masa operative para vendimit përfundimtar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Një ditë më parë, Ambasada amerikane në Prishtinë ka paralajmëruar se të mërkurën mund të ketë protesta të mëdha, madje u ka kërkuar shtetasve të saj që jetojnë në Kosovë që të mos i dërgojnë fëmijët e tyre në shkolla.

Një alarm të ngjashëm e ka bërë edhe Franca për shtetasit e saj.