Për herë të parë pas krizës që goditi marrëveshja politike mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, Albin Kurti ka reguar publikisht.
Kryeministri në detyrë, deklaron se marrëveshja e arritur mes dy subjekteve politike nuk është zhvlerësuar dhe se ekziston ende mundësia për të shmangur zgjedhjet e reja.
Sipas tij, të gjithë ata që synojnë stabilitet institucional dhe forcimin e institucioneve kanë ende një mundësi për të gjetur një zgjidhje politike.
Kurti konfirmoi gjithashtu se nga marrëveshja politike ka dalë edhe një emër konkret për kandidat, duke iu referuar Bekim Sejdiu.
Nga ana tjetër, kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, thotë se partia e tij ka pasur një qëndrim të qartë për angazhimin në krijimin e institucioneve të reja.
Ai thekson se gjatë këtij procesi janë zhvilluar takime edhe me partitë e tjera politike, ndërsa sipas tij, PDK-ja ka zgjedhur të mos bëhet pjesë e procesit.
Abdixhiku vlerëson se Vetëvendosje ka ndryshuar tashmë qasje, duke kaluar, sipas tij, nga një proces i drejtuar vetëm prej saj, drejt një procesi më konsensual.
Deklaratat e Kurtit dhe Abdixhikut lënë të hapur mundësinë për negociata të tjera, në një kohë kur Kosova përballet me nevojën për krijimin e institucioneve të reja dhe shmangien e një tjetër procesi zgjedhor.
Mesazhi i dy liderëve duket i qartë, pavarësisht goditjes nga 6 deputetë të LDK-së, dera e konsensusit ende nuk është mbyllur.
