Mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi i cili ndodhet në paraburgimin e Hagës, është përforcuar së fundmi me një figurë të fuqishme në përbërjen e saj.
Në seancën e sotme pritet të ketë dëgjim të dëshmitarëve në rastin ndaj Thaçit dhe të tjerëve. Palës së avokatëve të tij i është shtuar ish-zyrtari amerikan Joe Reeder, i cili do të jetë bashkëpunëtor i ekipit të udhëheqhur nga avokatët Gregory Keohe e Luka Misetiç.
Joe Robert Reeder është një avokat amerikan i cili shërbeu si Nënsekretar i Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara nga 1993 deri në 1997.
Vendimi i gjykatës
Në bazë të Rregullës 26(1) të Rregullores, Sekretari njofton Trupin Gjykues II për miratimin e z. Joe Reeder si bashkë-avokat i z. Hashim Thaçi. Më 6 prill 2023, avokati i z. Thaçi, z. Gregory Kehoe, e informoi Shefin e Zyrës së Mbrojtjes se do të dëshironte të ndihmohej nga z. Reeder si Bashkë-Avokat. Avokati ofroi të gjithë dokumentacionin përkatës në përputhje me seksionin 18 të Direktivës për avokatin. Z. Reeder pranohet në listën e avokatëve në përputhje me nenin 7(3) dhe 18(1) të Direktivës për avokatin. Më 12 Prill 2023, Sekretari aprovoi z. Reeder si Bashkë-Avokat të z. Thaçi në përputhje me nenin 18 të Direktivës për avokatin.5. Në bazë të rregullit 82(3) të Rregullores, Aneksi 1 është paraqitur në mënyrë konfidenciale, pasi përmban informacione personale në lidhje me avokatin dhe bashkë-avokatin.
Zyra e Prokurorisë Speciale edhe sot e vazhdon procesin e paraqitjes së provave përkatësisht dëgjimin e dëshmitarëve në rastin ndaj Thaçit dhe të tjerëve. Gjatë seancës së kaluar e cila u zhvillua me dyer të mbyllura u mor në pyetje dëshmitarja grua e cila u përgjigj pyetjeve të bëra nga prokurorët e Gjykatës Speciale.