Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka njoftuar se dita e nesërme do të jetë ditë zie kombëtare, në nder të të gjitha grave që janë vrarë në Kosovë.

Vendimi erdhi pas ngjarjes së rëndë të ndodhur mëngjesin e sotëm në Pejë, ku Gjyljeta Ukella u vra me plumb në kokë nga bashkëshorti i saj, Edmond Lajçi.

“Nesër do të jetë ditë zie shtetërore në Kosovë, por shoqëria jonë do të jetë në zi çdo ditë përderisa të ketë vrasje të grave dhe vajzave tona!”- deklaroi Osmani.

Kujtojmë se brenda pak ditësh ky është rasti i dytë në Kosovë, i vrasjes së gruas nga bashkëshorti. Më 12 prill, u vra 21-vjeçarja Erona Cokli, brenda zyrës së qendrës për Punë Sociale në Ferizaj, nga ish- bashkëshorti i saj Valon Aliu. Po ashtu, ndër rastet më të rënda të grave të vrara nga bashkëshortët e tyre janë Marigoa Osmani dhe Lirodona Ademit.