Një grabitje e rëndë ka ndodhur dje në Carrabreg të Deçanit, ku disa autorë të panjohur kanë vjedhur një shtëpi për tri orë. Ngjarja ka ndodhur nga ora 15:00 deri në 18:00, kur persona të panjohur kanë depërtuar në shtëpinë e M. K., pronarit të një furre buke, duke hyrë përmes një dritareje në katin e dytë të shtëpisë.

Sipas informacioneve të dhëna nga pronari i shtëpisë, autorët kanë marrë kasafortën e hekurt që ndodhej në dhomën e fjetjes, në të cilën ishin 150 mijë euro para cash, si dhe stoli ari në vlerë rreth 6 mijë euro. Pronari ka deklaruar se paratë ishin kursime nga biznesi i tij ndër vite, ndërsa një pjesë e tyre i ishin dhënë nga miqtë për shërimin e nipit të tij në Turqi.

Në vendngjarje kanë dalë njësitë e hetimeve të stacionit të policisë, të cilat kanë njoftuar prokurorin kujdestar dhe janë angazhuar me hetimet rajonale dhe forenzikën. Gjithashtu, është kërkuar edhe angazhimi i njësisë K-9 për të ndihmuar në zbardhjen e rastit. Deri tani, nuk ka asnjë person të dyshuar, dhe hetimet janë ende në vazhdim.