Emisari i Shteteve të Bashkuara për Misione të Posaçme, Richard Grenell ka akuzuar ditën e sotme presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani për manipulim të deklaratave të Trump lidhur me zhvillimet e fundit në rajon.

Përmes një postimi në “X”, Grenell reagoi pas deklaratës së Osmanit nga SHBA, ku ajo tha se “mund të konfirmoj” se një sulm nga Serbia ndaj Kosovës është parandaluar së fundmi, duke përmendur rolin e presidentit amerikan Donald Trump në këtë parandalim.

Duke përmendur marrëveshjen në mes Kosovës dhe Serbisë të arritur në Zyrën Ovale, Grenell tha se “Osmani nuk ishte pjesë e asaj marrëveshjeje. Dhe të pretendosh sikur kishte diçka të re është absurde”.

POSTIMI I PLOTË:

Turp për Vjosa Omsnanin për manipulimin e fjalëve të Presidentit Donald Trump. Donald Trump u nominua për Çmimin Nobel për Paqen për punën e tij në paqen dhe normalizimin ekonomik midis Kosovës dhe Serbisë në vitet 2019 dhe 2020 – përmes nënshkrimit të Marrëveshjes së Uashingtonit nga Trump në Zyrën Ovale në Shtëpinë e Bardhë. Osmani nuk ishte pjesë e asaj marrëveshjeje. Dhe të pretendosh sikur kishte diçka të re është absurde.

Osmani ndodhet në SHBA, nga ku tha se mund të konfirmonte se Trump e parandaloi një sulm nga Serbia, duke iu referuar fjalëve të presidentit amerikan se kjo ka ndodhur “javëve të fundit”, dhe duke shtuar se nuk bëhej fjalë për ngjarje të vjetra, por për zhvillime të fundit. Ajo e lavdëroi edhe marrëveshjen e nënshkruar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2020, gjatë mandatit të parë të Trumpit si president.