Kongresmeni amerikan, Keith Self ka bërë një deklaratë të fortë gjatë një seance dëgjimore në Komitetin për Punët e Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, teksa i ka bërë thirrje Greqisë të njohë shteti ne Kosovës. Më tej, Self propozoi ndërprerjen e fondit prej 1.8 milion dollarësh që i jepet Greqisë për trajnime ushtarake ndërkombëtare, për shkak të refuzimit të Athinës për ta njohur pavarësinë e Kosovës.
“Unë kryesoj nënkomitetin për Evropën të këtij komiteti dhe kemi paqëndrueshmëri në rajonin e Ballkanit. Për këtë arsye ofroj këtë amendament. Përderisa ekzistojnë përpjekje të përbashkëta të fuqishme ushtarake mes ShBA-së dhe Greqisë, Athina mbesin në listën e ngushtë të katër aleatëve të NATO-s që refuzojnë njohjen e sovranitetit të Kosovës”.
Sipas Self, Kosova ka dëshmuar përkushtim të qartë ndaj demokracisë, sigurisë rajonale dhe bashkëjetesës multietnike, duke paraqitur një argument të fortë për anëtarësim në NATO.
“Mund të ju them se Kosova është qartësisht një prej partnerëve më të afërt dhe më besnikë evropianë të ShBA-së. Të gjitha këto vërtetojnë një rast bindës për anëtarësim në NATO dhe stabilitet në Ballkan. Dhe përderisa Greqia, Rumania, Spanja dhe Sllovakia refuzojnë njohjen e aleatit tonë ballkanik, nuk do të ketë rrugë të anëtarësimit të aspiruar të Kosovës në NATO.”
